R U M I J A

Blog

Posted by llolla at 04:15 PM on January 27, 2009
NË ULQIN U MBAJT SIMPOZIUMI I VLERAVE KUSHTUAR KLERIKËVE ISLAMË NË MAL TË ZI Sheh Rasim Llolla, misionar i tolerancës Janë pikërisht klerikët si sheh Rasim Llolla të cilët përkujtohen sot në këtë simpozium si shembuj të klerikëve me cilësi të larta në Mal të Zi, vlerat e të cilëve jo vetëm se nuk u shuan, por gjithmonë do të përmenden në breza si rreze drite, shprese dhe jete të denjtë njerëzore", theksoi dr. sheh Ismail Aga, kryetar i Shoqatës " Drita Hyjnore" të Tarikateve Islamike të Shqipërisë, duke u bërë thirrje kombeve të tjera në Ballkan për një mirëkuptim dhe tolerancë fetare me qëllim që t`i tregojmë Europës dhe botës se nuk është më Ballkani i luftrave. Gjekë Gjonaj Në organizim të Shoqatës " Drita Hyjnore" të Tarikateve Islamike të Shqipërisë në Shtëpinë e Kulturës të Ulqinit më 13 shkurt u mbajt Simpoziumi i Vlerave me temë " Sheh Rasim Llolla shëmbëlltyrë në mesin e klerikëve islamë me kontribut të lartë për fenë dhe kombin në Republikën e Malit të Zi". Të pranishëm në këtë manifestim kulturor, të cilin e organizuan Shoqata " Drita Hyjnore" e Tarikateve Islamike të Shqipërisë dhe Vllaznia e Teqeve në Ulqin, ishin personalitete të larta fetare të besimit islam , katolik dhe ortodoks nga Mali i Zi, klerikë të lartë nga Shqipëria dhe Kosova si dhe personalitete të tjera të larta nga jeta kulturore dhe politike e komunës së Ulqinit, në mesin e të cilëve edhe kreu i komunës, Gëzim Hjadinaga, nënkryetari , Nail Rexha dhe kryetari i Kuvendit Komunal, Muhamet Nika. Kryetari i Shoqatës " Drita Hyjnore" të Teqeve Islamike të Shqipërisë, dr. sheh Ismail Aga, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se vlerat e klerikut sheh Rasim Llolla nga Ulqini janë shëmbëlltyrë për klerikët e tjerë islamë që gjatë tërë jetës së tyre deri në vdekje kanë dhënë kontribut të çmuar për fenë dhe kombin . "Janë pikërisht klerikët si sheh Rasim Llolla të cilët përkujtohen sot në këtë simpozium si shembuj të klerikëve me cilësi të larta në Mal të Zi, vlerat e të cilëve jo vetëm se nuk u shuan, por gjithmonë do të përmenden në breza si rreze drite, shprese dhe jete të denjtë njerëzore", theksoi Aga. Ai u bëri thirrje kombeve të tjera në Ballkan për një mirëkuptim dhe tolerancë fetare me qëllim që, siç u shpreh ai, t`i tregojmë Europës dhe botës se nuk është më Ballkani i luftrave, se toka nuk duron më gjak, se mendjet e njerëzve kanë ndryshuar, se kombet dhe fetë e tyre janë vëllazëruar. Efendi Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke e vlerësuar lart figurën e sheh Rasim Llollës, jo vetëm si klerik dhe prefekt i devotshëm, por edhe si njeri me virtyte të larta njerëzore e humane, apeloi tek besimtarët që të jenë bashkuar, sepse vetëm kështu jemi më të fortë " Islami na ka mësuar që gjithmonë duhet të jemi së bashku, ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin. Duhet të jemi një, të mos përçahemi, por të bashkohemi. Sepse, kjo duhet të jetë rruga jonë e tashme dhe e ardhshme. Njerëzit e tarikatit i kanë vënë vetes edhe një barrë më të madhe në rrugën hyjnore. Ne në Shqipëri kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në mes të të gjitha komuniteteve. Prandaj u bëj thirrje edhe kombeve tjera që të kenë këtë harmoni, këtë tolerancë fetare dhe këtë dashuri për njëri-tjetrin që e kemi ne shqiptarët në përgjithësi", tha Muça. Kreu i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, reis Rifat Fejziq, në fjalën e tij përshëndetëse kërkoi unitet më të madh tek besimtarët islam. " Për fenë islame nuk ka tabu-temë. Për këtë mud të flitet lirisht në mënyrë që disa gjëra të pastrohen dhe të kthjellohen dhe kjo të jetë e rëndësishme para së gjithash për Bashkësinë Islame dhe myslimanëët nga këto treva. Bashkësia Islame është ombrellë dhe nën kupolën e saj mund të gjejnë strehë të gjithë qëllimmirët dhe kush dëshiron por natyrisht duke respektuar rreptësisht rregullat e islamit", theksoi Fejziq. Ai përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me të gjithë ata besimtarë që nuk respektojnë çdo shkronjë të Kuranit. "Nga përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman në Shqipëri kuptova se Bashkësia Islame vepron në harmoni me bashkësitë e tjera fetare, se ka marrëdhënie të mira me bashkësinë ortodokse, katolike e të tjera. Kjo neve nuk na duhet, sepse kjo bukvalisht do të thotë se vehabitë atje janë fe tjetër. Ne nuk mund t`i pranojmë ata besimtarë islam që në disa tubime solemne për fat të keq shfrytëzojnë atë që është e ndaluar, konsumojnë alkool. Me këta besimtarë nuk ka marrëveshje. Sepse çdo shkronjë e Kuranit për ne është ligj", tha Fejziq. Kryetari i Komitetit të Shqipërisë për unitetete fetare Rasim Hasani në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se veprimtaritë e këtilla kulturore janë të mirëpritura, sepse ato i shërbejnë zhvillimit të kulturës fetare, janë mesazhe universale të bashkëjetesës paqësore dhe mirëkuptimit, që e emancipojnë më tej shoqërinë shqiptare . Efendi Rifat Doda, në kumtesën e tij foli për veprimtarinë e klerikëve të Anë të Malit, me theks të veçantë për punën jashtëzakonisht të madhe, sakrificën që ka bërë sheh Rasim Llolla në shërbim të popullit. "Rasim Llolla, që kur e njoha si fëmijë, shquhej për cilësi të rralla njerëzore dhe për dashuri ndaj Zotit. Ai, meqë rrjedhte nga një familje bujare e fisnike, u edukua në frymën fetare. Ishte i fortë në fe, i pathyeshëm në besim, i etur për dije, i matur dhe i durueshëm në varfëri. Ai ishte klerik me autoritet të lartë. Me fuqi dhe dhunti hyjnore prej Zotit. Në çdo moment u vu në shërbim të njerëzve që kishin nevojë pa dallim feje e kombësie. Si i tillë u bë i njohur, i dashur, i respektuar jo vetëm në Anë të Malit, por edhe në Ulqin dhe në Mal të Zi", nënvizoi Doda. Referuesi i radhës, Rexhep Bushati, studiues nga Shkodra në kumtesën e tij" Lidhjet tona të përbashkëta janë më shumë se lidhje gjaku e gjuhe" foli për koordinimin dhe përkushtimin e figurave të Ulqinit dhe Shkodrës për çështjen fetare dhe kombëtare. " Këto vlera të larta morale dhe njerëzore e universale të klerikëve populli ynë i ruan si të shenjta. Ato kanë rolin e vet të pamohueshëm dhe klerikët e të tre besimeve, sikurse edhe intelektualët provat e tyre i dhanë veçmas në vitet e komunizmi kur bashkëvuajtën si vëllezër torturat, fyerjet, poshtërimet e pushkatimet në burgjet dhe kampet komuniste", theksoi Bushati. Haxhi, Faik Hoxha nga Shkodra nënvizoi se sheh, Rasim Llolla kontribuoi për fenë dhe kombin bashkë me klerikët e tjerë islamë në Mal të Zi. Ai vlerësoi se simpoziumet e këtilla i ka imponuar koha e re, sepse feja islame duhet të jetë e bashkuar, e dashur dhe e hapur për të gjitha besimet e tjera dhe për të gjithë njerëzit. Skender Hoxha, duke folur për kontributin dhe vlerat e familjes së Rasim Llollës, u shpreh se kjo familje me origjinë nga fshati Rashtishë, Ana e Malit, ishte dhe mbeti e moralshme, besimtare e madhe e fesë islame, autoritare dhe e nderuar jo vetëm në mesin ku jetonte por edhe më gjerë. " Të njëjtat vlera përcillen edhe në trashëgimtarin e kësaj familje, Rasim Llollën, i cili qe i pari sheh i Anës së Malit, i cili me veprimtarinë e tij fetare, shpirtërore dhe humane la gjurmë të pashlyeshme në rrafshin kombëtar. I ndjeri Rasim Llolla ishte shembull i predikimit liberal, i tolerancës fetare, i humanizmit, i respektimit të feve tjera, për të cilat thoshte se të gjitha kanë një qëllim dhe besojnë në një zot", tha Hoxha. Dr. Nail Draga organizimin e kësaj veprimtarie për të nderuar figurën shumëdimensionale të sheh Rasim Llollës, e cilësoi si një moment të veçantë, madje edhe emocional, sepse është rasti i parë i këtij dimensioni i organizuar në Ulqin. " Uroj dhe shpresoj që ky takim të mos jetë i pari dhe i fundit, por le të jetë një traditë e cila do të ketë vazhdimësinë e vet në të ardhmen. Pikërisht nga ky aspekt besoj se ka ardhur koha që përfundimisht të mos merremi me paragjykime e ambicie të sëmura egoiste, por të vlerësojmë figurat tona sikurse bën bota e qytetëruar. Le të jetë kjo veprimtari një ogur i mirë, një mesazh dhe nxitje për vlerësime e nderime të personaliteteve tona në të ardhmen", theksoi Draga. Në vazhdim Sadik Pelinku në kumtesën e tij u ndal në Tesawufin si fenomen, duke e interpretuar, shtjelluar e sqaruar kronologjikisht me shembuj konkretë bazuar në të dhëna të dokumentuara shkencore të kohës. Pelinku sheh Rasim Llollën e quajti pasues të një plejade klerikësh të të tri besimeve të kësaj hapësire që lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën fetare dhe kombëtare, siç janë: Afiz Ali Riza Ulqinaku, dom Simon Filipaj, dom Toma, dom Marku, efendi Hasan Mavriqi, efendi Hysein Mujali, efendi Hafiz Bakalli, efendi Idriz Demiri, efendi Hamid Buzuku, efendi Hasan Llunji, efendi Jusuf Cungu, pop Jovani, pop Radojica e të tjerë. Auditorit të nderuar iu drejtua edhe përfaqësuesi i Teqes së Madhe Ballkanike Asitane të Tarikatit SAADI me seli në Gjakovë, sheh Alia nga Gjilani dhe zonjusha .Drita Llolla. Ajo në emër të disa studentëve nga Ana e Malit në universitetin e Tiranës u shpreh e lumtur që bashkëmoshatarët e saj të kësaj ane patën mbarësinë e Zotit që në formimin e tyre të edukohen me figura klerikësh të tillë siç ishte sheh Rasim Llolla dhe klerikë të tjerë, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre mbollën dhe shpërndanë dashuri ndaj njerëzve dhe popujve. Fjalën mbyllëse të këtij simpoziumi e mbajti dr.sheh Reshit Llola, i biri dhe trashëgimitari i sheh Rasim Llollës. Ai në emër të familjes së tij dhe të Tarikatave të Ulqinit falënderoi organizatorin, ligjëruesit dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti të cilin ai e quajti historik, sepse e nderon Ulqinin, besimtarët në Mal të Zi dhe forcon urat e bashkëpunimit shekullor në mes të feve dhe kombeve.

Categories: None

Post a Comment

Oops

  • Oops, you forgot something.
Already a member? Sign In

2 Comments

Reply zemraa
03:01 AM on January 30, 2009
shume teme interesante ulboy edhe une e kam pas njofte vmire vertet do jet gjithmon ne zemrat tona flm...tung
Reply myreviewing
09:20 PM on April 14, 2009
cool site, keep it up, plz visit www.myreviewing.webs.com

Categories

postimet tuaja

No recent posts

Share on Facebook

Share on Facebook

manifestimet e ardhshme

No upcoming events